Gruaja në Prizren e çon në Polici burrin me të cilin bashkëjeton, e akuzon se po i shkakton dhunë psikike
Mosmarrëveshjet mes çifteve shpesh herë eskalojnë në kërcënime e dhunë fizike. Zakonisht viktima janë gratë të cilat kërcënohen e dhunohen në forma të ndryshme nga partnerët e tyre e që më pas kërkojnë ndihmën e Policisë për të siguruar mbrojtje.
Ndihmën e Policisë e ka kërkuar mbrëmë edhe një grua nga Zhuri i Prizrenit, e cila ka denoncuar burrin me të cilin bashkëjeton që një kohë.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se 44-vjeçarja ka deklaruar se pas një konflikti verbal me të dyshuarin, ky i fundit ka ushtruar dhunë psikike ndaj saj dhe është larguar nga shtëpia.
Si rezultat i denoncimit, Policia ka nisur kërkimet për arrestimin e të dyshuarit, por i njëjti akoma nuk është kapur.
Ndaj tij kanë nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’, ndërsa viktima është dërguar në strehimore.