Gruaja e të vrarit në kafene në Gjilan: Për vrasjen e burrit mësuam përmes lajmeve

Lirim Jakupi, Faton Osmani e Afrim Ismajloviq janë tre peronat që po akuzohen nga Prokuroria e Gjilanit për vrasjen e Bakush Veselit, ngjarje që ka ndodhur në shtator të vitit 2021.

Në shqyrtimin gjyqësor i cili nisi në orët e mëngjesit sot kanë dhënë dëshminë para trupit gjykues katër dëshmitarë. Gjithashtu në seancë prezantuan prokurori i rastit Shefik Mehmeti, kryetari i trupit gjykues Naser Maliqi dhe anëtarët Sahit Boroci dhe Islam Thaçi.

Bakush Veseli mbeti i vrarë mbrëmjen e 21 shtatorit 2021 ndërsa Prokuroria në dosjen e hetimit kishte përmendur faktin se ishin shkrepur disa plumba drejt viktimës.

Vrasja e Veselit ishte bërë në një kafene në afërsi të parkut të qytetit të Gjilanit ndërsa arrestimi i disa të dyshuarve ndodhi ditë pas ngjarjes tragjike.

Në seancën e sotme prezente ishte edhe gruaja e Bakush Veselit.

Në bazë të procesverbalit të seancës së sotme, të cilin e ka siguruar KALLXO.com, bashkëshortja e viktimës kishte rrëfyer se si e kishte marrë vesh lajmin për vdekjen e burrit të saj.

Ajo nis dëshminë e saj duke treguar se me të ndjerin kishte kontaktuar një natë më parë përmes telefonit, meqenëse ishte në Francë bashkë me fëmijët, vend të cilin ishin duke jetuar që shtatë vjet.

Bashkëshortja e Bakush Veselit rrëfeu para prokurorit dhe trupit gjykues se Lirim Jakupin dhe Faton Osmanin burri i saj i kishte djem të motrës.

Për të akuzuarin e tretë, Afrim Ismajloviq, gruaja e Veselit tha se nuk e kishte parë asnjëherë.

Në natën kritike, bashkëshortja e Veselit thotë se fëmijët e kishin marrë vesh ngjarjen përmes telefonit, lajmeve që ishin publikuar po atë natë.

“Vajza e vogël duke e këqyrë telefonin e ka parë veturën e Bakushit dhe ka bërtitur: Mam kerri i babit me shirita i rrethekuar”- tregon bashkëshortja e Veselit.

Lexo edhe:  E dhimshme: Ky është togeri i Policisë që vdiq në aksident trafiku në Rogoqicë të Kamenicës

Gruaja e Bakush Veselit tregoi para trupit gjykues dhe prokurorit se bashkëshorti i saj kishte probleme të mëhershme me nipin e tij, Faton Osmanin.

Kështu të paktën shkruhet në procesverbalin e seancës së sotme.

Sipas Ismete Veselit, Faton Osmani e ka gjuajtur 6 herë Bakushin dhe kanë dalë me e rreh. “Ky është rast tjetër dhe konsideroj se prej aty ka filluar me këto probleme që po them unë”.

Gruaja e Bakush Veselit përmendi ngjarjen e cila sipas saj ka ndodhur më 3 maj të vitit 2020.

“Mas këtij rasti nuk kemi hyrë as nuk kemi dalë as me Fatonin as me Lirimin”- shtoi tutje Ismete Veseli.

KALLXO.com pati raportuar në lidhje me vendimin e Gjykatës për paraburgimin në atë kohë të të dyshuarve për vrasjen e Bakush Veselit.

Në dosjen hetimore thuhet se ndaj tani të ndjerit Bakush Veseli ishin shkrepur 9 fishekë.

Tutje në vendim thuhet se pasi të dyshuarit i janë afruar të ndjerit në një afërsi prej gjysëm metri, fillimisht i pandehuri me armën e kalibrit 9 milimetër, ka shkrepur 8 fishekë, kurse pas tij, i dyshuari tjetër me armën e kalibrit 7.65 milimetër ka shkrepur duke e goditur të ndjerin 9 herë.

Prokuroria kishte njoftuar se ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit e sipërshënuar më 12 shtator 2021, rreth orës 19:45 minuta, pas një përgatitjeje paraprake, në bashkëkryerje, kanë privuar nga jeta B.V., duke e vënë në rrezik edhe jetën e personave të tjerë, të cilët kanë qenë afër tij.

Tutje thuhet se të dyshuarit kanë vepruar në atë mënyrë që së bashku kanë ardhur me një veturë të markës ‘’Audi A3’’ dhe janë ndalur te një market, ku nga aty të armatosur kanë dalë dy nga të pandehurit dhe me të arritur në vendin e ngjarjes, i afrohen të ndjerit, i cili ishte ulur në një kafiteri në Gjilan, të cilët pastaj kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të tij, ku për shkak të plagëve të marra i njëjti ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa të pandehurit pas kryerjes së vrasjes janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Lexo edhe:  Pritet të rritet sërish çmimi i banesave