Gruaja e sulmon burrin me kaçavidë dhe i thotë të dalë nga shtëpia, ai kërkon ndihmë nga Policia

Rastet e dhunës në familje janë të shpeshta në vendin tonë, por rrallë ndodh që viktima të jenë burrat.

Por ndryshe ka ndodhur së fundmi në një familje në Suharekë, ku një 47-vjeçar ka kërkuar ndihmën e Policisë pasi dyshohet se është sulmuar nga gruaja, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bazuar në dëshminë e burrit, rasti ka ndodhur mëngjesin e së shtunës, kur e dyshuara, gruaja e tij 42-vjeçare e ka sulmuar atë, duke i shkaktuar lëndime trupore, pas një mosmarrëveshje që patën mes vete.

Sinjali mëson se motivi i rastit dyshohet të jetë një zënkë që eskaloi deri në atë pikë sa gruaja iu vërsul burrit duke e sulmuar me kaçavidë dhe i kërkoi të largohej nga shtëpia.

Përballë kësaj situate, viktima ka vendosur ta njoftojë Policinë për dhunën që ka përjetuar.

Si rezultat i raportimit të rastit, e dyshuara është shoqëruar në stacion për intervistim, ku ka mohuar të ketë ushtruar dhunë ndaj bashkëshortit të saj.

Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit e njëjta është dërguar në mbajtje dhe ndaj saj kanë nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.

Lexo edhe:  “Grabitësit në Suharekë gjuajtën veturat që tentuan ta ndihmojnë Policinë”, Prokurorja: Nga pamjet del se kemi të bëjmë me profesionistë