Gruaja denoncon ish-burrin për kanosje, 27-vjeçari shpallet në kërkim policor

Ka shumë raste kur gratë kosovare nuk ‘shpëtojnë’ nga problemet edhe pse zgjedhin që të shkurorëzohen e të ndajnë rrugët me bashkëshortët e tyre, të cilët u shkaktojnë telashe.

Edhe pas ndarjes, shumë nga ta nuk i lënë rehat ish-partneret e tyre, raporton Gazeta Sinjali.

Me një situatë të tillë është përballur një grua në Shtërpcë, e cila gjatë ditës së djeshme ka kërkuar ndihmën e Policisë.

Sinjali mëson se 29-vjeçarja është ankuar se ish-bashkëshorti e ka kërcënuar me mesazhe kërcënuese dhe kjo ka ngjallur frikë dhe shqetësim tek ajo.

Si rezultat i denoncimit, 27-vjeçari është shpallur në kërkim policor, pasi i njëjti ndodhet jashtë vendit.

Me urdhër të prokurorit, i dyshuari do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprave penale ‘Dhunë në familje’ dhe ‘Kanosje’, si dhe i njëjti do të arrestohet posa të hyjë brenda territorit të Republikës së Kosovës.

Lexo edhe:  “Nëna Havë në Rezallë pyet kur po vjen Hashimi, a e lëshuan ma?”