Gruaja alivanoset gjatë ballafaqimit me burrin, vajza kërkon ndihmë nga fqinjët – po përjetonin dhunë që një vit
Gratë po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të dhunës në familje në Kosovë. Ato shpesh rrahen e kërcënohen edhe në sy të fëmijëve nga bashkëshortët , por që kanë frikë t’i denoncojnë në Polici. Një rast i tillë ka ndodhur për rreth një vit në një familje në rrugën “Avdyl Frashëri” në Prishtinë.
Sinjali mëson se një burrë ka ushtruar dhunë ndaj gruas së tij, të cilën në vazhdimësi e ka kërcënuar e ofenduar. Rasti i fundit siç duket ishte më i tmerrshmi, kur ajo u alivanos, derisa po tentonte ta mbronte vajzën e tij që po ballafaqohej me babain.
Burimet nga Prokuroria kanë dhënë detaje lidhur me këtë rast
Gjithçka dyshohet se ndodhi më 6 korrik, kur viktima është kanosur në rrugë nga bashkëshorti, i cili i ka shkaktuar presion teksa po ktheheshin në shtëpi dhe madje ka tentuar ta sulmojë, por e ndaluan fëmijët.
Për të mos mbaruar me kaq, edhe në banesën e tyre, ai e ka ofenduar e ka bërë probleme, deri në atë pikë sa njëri nga fëmijët u detyrua që të kërkojë ndihmë nga fqinjët dhe kjo siç duket e ndaloi burrin e dyshuar, i cili u ballafaqua me të bijën.
Kjo situatë e tensionuar eskaloi edhe më shumë kur gruaja u alivanos si pasojë e stresit të shkaktuar dhe frikës se bashkëshorti do t’i bënte diçka vajzës.
Por ky s’është rasti i vetëm
Sinjali mëson se për gjithë këta muaj, i dyshuari vazhdimisht i ka shkaktuar dhunë psikike bashkëshortes së tij, të cilën e ka kërcënuar edhe me vrasje.
Këto raste të rënda që ka përjetuar gruaja kanë ndodhur në sy të fëmijëve, që kanë parë nënën teksa përballej me babain dhe problemet e tyre në shtëpi.
Pas rastit të fundit që u denoncua, Policia është aktivizuar dhe ka arrestuar burrin e dyshuar, i cili është shoqëruar në stacion policor dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë.
Ndërsa gruaja, pasi ka marrë trajtimin mjekësor është kthyer në banesë bashkë me fëmijët.