Greva në arsim, Këshilli i Prindërve ndërmerr disa veprime nga nesër

Këshilli i Prindërve i Kosovës, e ka cilësuar si të papranueshme situatën aktuale në arsim, ku greva po hyn në javën e dytë kur ish dashur të fillonte viti i ri shkollor.

Sipas tyre, fëmijëve po u pamundësohet vjimi në procesin mësimor, ndërsa për këtë ata kanë njoftuar për disa veprime që kanë kërkuar të bëjnë të gjithë prindërit.

Njoftimi i plotë:

Të nderuar prindër e të nderuar kujdestarë,

Këshilli i Prindërve i Kosovës i ka ende kapacitet shumë të kufizuara të veprimit, andaj energjitë tona maksimale vullnetare i kemi vendosur në drejtim të deklarimit publik për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve tanë për kujdesje, edukim e arsimim publik të plotë, të pakufizuar e të dinjitetshëm.

Kjo situatë e përsëritur për të satën herë, në momentin më të rëndë të arsimit në Kosovë, është tërësisht e papranueshme dhe e paarsyeshme, e cila po dëshmohet edhe me çregjistrime të përditshme të nxënësve nga shkollat publike.

Në situatën aktuale, kur fëmijët tanë vazhdojnë ta kenë të pamundësuar vijimin e procesit mësimor, ne këshillojmë që secili këshill i prindërve nëpër shkollat e Kosovës, apo edhe prindër të paaorganizuar, të fillojnë t’i marrin hapat në vijim:

Të kërkohet furnizimi me libra i të gjithë fëmijëve përmes prindërve nga të gjitha shkollat në Kosovë qysh nesër (më 12 shtator).

Prindërit të fillojnë takime të rregullta ditore nëpër hapësirat shkollore ose kudo është e mundur, me qëllimin e vetëm marrjen e veprimeve për t’i dalë në ndihmë fëmijëve të tyre.

Prindërit të fillojnë të punojnë me fëmijët e tyre përmes platformave digjitale në internet të ofruara nga MASHT, Youtube, eShkollori e të tjera.

Prindërit të koordinohen dhe bashkëpunojnë me mësimdhënësit që duan të zhvillojnë mësim në distancë përmes platformave në internet për ta realizuar sa më mirë procesin mësimor.
Në shkollat ku është e mundur, ditëve në vijim prindërit t’i çojnë për një orë fëmijët për t’u takuar me shokët e shoqet e klasës.

Lexo edhe:  Rruga për Podujevë është bërë si rrugë për Kandahar të Afganistanit

I lusim edhe të gjithë vullnetarët që kanë kapacitete për të ndihmuar mësimin në distancë të kontaktojnë me Këshillin e Prindërve të Kosovës ose këshillat e prindërve nëpër komuna ose shkolla.

Dashurinë dhe mundin tonë të pakushtëzuar ta bashkojmë për fëmijët tanë!