Grabitje në një pompë në Kaçanik, hajni i maskuar dhe i armatosur merr paratë nga arka dhe zhduket

Pompat e derivateve jo rrallëherë janë cak i hajnave. Kjo dukuri po krijon pasiguri dhe frikë si për qytetarët ashtu edhe për punëtorët që punojnë në këto biznese. Një rast i tillë ka ndodhur edhe sot në mëngjes në pompën e derivateve ‘IP Petrol’ në Kaçanik, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se një person ende i paidentifikuar ka hyrë brenda i maskuar dhe nën kërcënimin e armës ka arritur që të marrë një shumë të parave nga arka e pompës.

Me t’u denoncuar rasti, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Në kuadër të veprimeve hetimore është intervistuar punëtori i kompanisë, i cili ka deklaruar se i dyshuari menjëherë pas kryerjes së veprës është larguar me shpejtësi në një drejtim të panjohur.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është cilësuar ‘Grabitje’, teksa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar edhe kompaninë, por personi që është përgjigjur ka deklaruar se “nuk mund as ta pohojë e as ta mohojë” rastin.

Lexo edhe:  Dyshohet se kreu marrëdhënie seksuale me 14-vjeçaren në Suharekë, ky është i dyshuari që përfundoi në ndalim policor