Grabitje në një pompë derivatesh, një person i armatosur merr rreth 3 mijë euro nga arka

Një grabitje e armatosur ka ndodhur mbrëmë rreth orës 23:45 në një pompë derivatesh në fshatin Gerlicë të Ferizajt.

Sinjali mëson se një person i armatosur ka hyrë brenda pompës ‘Ada Gas’ ku nën kërcënimin e armës ka detyruar punëtorët që të shtrihen në tokë e më pas ka arritur që të marr rreth 3 mijë euro nga arka.

Njësitet policore me të marrë informatën kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kontaktuar me dy punëtorët të cilët kanë deklaruar se i dyshuari është larguar në drejtim të panjohur.

Po ashtu rreth 100 metra larg vendit të ngjarjes, është gjetur një motoçikletë pa targa e cila ishte braktisur në skaj të rrugës. Nga pamjet e kamerave të sigurisë, u pa që i dyshuari kishte përdorur atë si mjet transporti për të ardhur dhe për të kryer grabitjen.

Policia ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të identifikuar personin e dyshuar.

Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Grabitje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari.

Lexo edhe:  ShSKUK-ja e shet një Audi 80 për vetëm 252 euro