Grabitje në një market, dy persona kanosin me thikë një punëtore dhe marrin një shumë parash

Marketet në vendin tonë jo rrallëherë janë cak i hajnave. Kjo dukuri po krijon pasiguri dhe frikë si për qytetarët, ashtu edhe për punëtorët që punojnë në këto biznese. Vjedhjet e grabitjet shpesh kryhen edhe nën kërcënimin e armës e mjeteve të tjera të rrezikshme.

Një rast më i fundit i tillë ka ndodhur mbrëmë në orët e vona në Prishtinë, ku një punëtore në një market është kanosur nga dy persona.

Sinjali mëson se rasti është denoncuar nga punëtorja e marketit, e cila kërkoi ndihmën e Policisë pasi u përballë me dy hajdutë.

Sipas informacioneve të para, dy të dyshuarit nën kërcënimin e mjetit të mprehtë (thikë) kanë marrë nga arka e marketit një shumë parash dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Me t’u raportuar rasti, njësitë përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e hajnit.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është cilësuar ‘Grabitje’, teksa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari.

Lexo edhe:  I vrari në dasmë është gjyshi i dhëndrit, dorasit ia pren rrugën në oborrin e sallës së dasmave