Grabitje e armatosur në pompën ‘Alfa Trade’, hajnat e maskuar marrin mbi 1 mijë euro

Pompat e derivateve jo rrallëherë janë cak i hajnave. Kjo dukuri po krijon pasiguri dhe frikë si për qytetarët ashtu edhe për punëtorët që punojnë në këto biznese.

Një rast i tillë ka ndodhur edhe parmbrëmë pas mesnate në pompën e derivateve ‘Alfa Trade’ në fshatin Çallapek në Ferizaj.

Sinjali mëson se tre persona ende të paidentifikuar kanë hyrë brenda dhe nën kërcënimin e armëve kanë arritur që t’i marrin mbi 1 mijë euro që ndodheshin në arkën e pompës, e më pas janë zhdukur.

Me t’u denoncuar rasti, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Në kuadër të veprimeve hetimore janë intervistuar dy punëtorë të kompanisë, të cilët kanë deklaruar se të dyshuarit menjëherë pas kryerjes së veprës janë larguar me shpejtësi për në drejtim të panjohur.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është cilësuar ‘Grabitje e armatosur’, teksa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.

Lexo edhe:  Mbi 800 serbë morën targat “RKS”, kanë edhe një muaj kohë t’i largojnë ilegalet