Grabitje e armatosur në një shitore në Ferizaj, hajni i maskuar merr të gjitha paratë në arkë
Një fenomen mjaft shqetësues për qytetarët e Kosovës janë bërë vjedhjet dhe grabitjet e shpeshta nëpër shtëpi, biznese e institucione financiare që po shkaktojnë humbje e pasiguri.
Hajnat në të shumtën e rasteve arrijnë që të ikin nga duart e organeve të rendit, por ka të atillë që kapen pas veprimeve hetimore të Policisë, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në një shitore në rrugën ‘Astrit Bytyqi’ në Ferizaj, ku një person i armatosur ka kryer një vjedhje.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se i dyshuari ka qenë i maskuar dhe nën kërcënimin e armës ka vjedhur të gjitha paratë që ndodheshin në arkën e shitores.
Me të marrë informatën, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Ndërkohë kanë marrë edhe dëshminë e punëtores e cila ka qenë në ndërrim kur ka ndodhur rasti dhe e njëjta ka pohuar se hajni ka vjedhur mbi 800 euro të pazarit ditor.
Sipas saj, i dyshuari e ka kërcënuar me armë dhe e ka detyruar që paratë t’ia fus në qese me duart e saj.
Momentalisht nuk dihet identiteti i të dyshuarit, mirëpo janë marrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore që ndihmojnë në identifikimin dhe lokalizimin e vendndodhjes së tij.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Grabitje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren varësisht nga zhvillimi i hetimeve.