Grabitja e armatosur në “Ex Fis” në Lipjan: Hajnat i morën 1 mijë euro, e rrahën punëtorin dhe u zhdukën

Pompat e derivateve jo rrallëherë janë cak i hajnave. Kjo dukuri po krijon pasiguri dhe frikë si për qytetarët ashtu edhe për punëtorët që punojnë në këto biznese. Një rast i tillë ka ndodhur edhe së fundmi në pompën e derivateve ‘Ex Fis’ në Lipjan.

Sinjali mëson se dy persona ende të paidentifikuar kanë hyrë brenda pompës dhe nën kërcënimin e armës kanë arritur që të marrin 1 mijë euro.

Për të mos mbaruar me kaq, hajdutët dyshohet se edhe e sulmuan fizikisht punëtorin e pompës dhe më pas u zhdukën pa lënë ndonjë gjurmë.

Me t’u denoncuar rasti, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.

Në kuadër të veprimeve hetimore është intervistuar punëtori i kompanisë, i cili ka deklaruar se dy të dyshuarit menjëherë pas kryerjes së veprës janë larguar me shpejtësi për në drejtim të panjohur.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Grabitje ’, teksa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.

Lexo edhe:  E konfirmuar: INTERPOL-i lëshon urdhërarrest për Millan Radoiçiqin