Grabitet një person në Veri: Hajnat e maskuar ia bllokojnë rrugën dhe ia marrin 3 mijë € nën kërcënimin e armës
Rastet e grabitjeve e të vjedhjeve po vazhdojnë të rriten, ndërkohë që siguria për të lëvizur edhe në hapësirat publike po bie. Të tilla raste më së shpeshti ndodhin nëpër rrugë dhe në shumicën prej tyre të dyshuarit janë të armatosur, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu ka ndodhur edhe të hënën, në rugën Leposaviq – Mitrovicë, ku një kosovar është përballur me tre persona të maskuar, të cilët kanë arritur që nën kërcënimin e armës t’ia marrin mbi 3 mijë euro.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bazuar në dëshminë e viktimës të dhënë para hetuesve, të dyshuarit fillimisht ia kanë zënë pritën me një veturë pa targa, dike ia bllokuar rrugën.
Sipas informacioneve të para, posa të dyshuarit kanë dalë nga automjeti, ia kanë thyer xhamin e veturës viktimës dhe më pas ia kanë marrë paratë.
Përballë kësaj situate, i njëjti e ka denoncuar menjëherë rastin në Polici, ku ka rrëfyer ngjarjen në detaje.
Si rezultat i raportimit, Policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e personave të dyshuar, teksa për rastin është vënë dijeni edhe Prokurori i Shtetit, me urdhër të së cilit hetimet kanë nisur për veprën penale “Grabitje”.