Grabitet një person në Fushë Kosovë, hajnat e armatosur ia vjedhin telefonin dhe paratë – njëri nga ta e godet me thikë

Rastet e grabitjeve e të vjedhjeve po vazhdojnë të rriten, ndërkohë që siguria për të lëvizur edhe në hapësirat publike po rrezikohet. Ndër rastet e shpeshta të grabitjeve janë gjësendet me vlerë, si stolitë e arit, telefonat e çantat e krahut që hajnat arrijnë t’i kapin nga qytetarët nëpër rrugë.

Viktimë e grabitjes ka qenë mbrëmë para mesnatës një person në fshatin Henc të Fushë Kosovës, i cili është përballur me tre persona të maskuar dhe të armatosur.

Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur derisa 38-vjeçari ishte duke drejtuar veturën e tij e ku kishte hasur në tre të dyshuarit, të cilët e kishin ndalur nën kërcënimin e armës.

Bazuar në dëshminë e viktimës dhënë organeve të hetuesisë, hajnat ia kanë vjedhur telefonin dhe rreth 250 euro para të gatshme. Sipas tij, njëri nga hajnat e ka goditur edhe me thikë, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Ekipi mjekësor i ka dhënë ndihmën e nevojshme viktimës, teksa njësitë policore kanë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit dhe që çojnë në identifikimin e të dyshuarve.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Grabitje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren varësisht nga zhvillimi i hetimeve.

Lexo edhe:  Lajm i mbrëmjes: Vogëlueshja 7 mujashe niset për shërim në Itali