Gold AG mbështetë 4 policët që u suspenduan shkaku i një foto të tyre që u shpërnda në Facebook

Katër zyrtarë policorë u suspenduan nga puna në Polici të Kosovës për tre ditë, shkaku i një fotografie që publikoi një portal lokal i Mitrovicës, foto kjo e shkrepur në veri të Kosovës.

Ky rast për të cilin raportoi të mërkurën gazeta online Reporteri.net, ngjalli reagime të shumta në audiencë, të cilët shprehën mospajtime të thella me këtë vendim të Drejtorisë Rajonale në Pejë të Policisë së Kosovës.

E njëri nga ata që ka reaguar së fundmi është edhe këngëtari Arian Agushi, që në sferën e muzikës njihet si Gold AG.

Për t’i mbështetur këta katër policë, që u suspenduan për një akt që vetë ata nuk e kishin në dorë, Gold AG vendosi ta ripostojë të njëjtën fotografi, në rrjetet e tij sociale.

“Ju duam”, shkroi këngëtari në mbishkrim të fotografisë.

Siç raportoi gazeta online Reporteri.net të mërkurën gjatë ditës, fotografia e katër policëve u shpërnda në Facebook fillimisht nga një portal lokal në Mitrovicë, për t’u rishpërndarë edhe nga mediat dhe faqet tjera të Facebook’ut.

Por, ndonëse qëllimi ishte t’i nderonte katër policët që po patrullonin në veri, në ditën kur pjesa tjetër e qytetarëve të vendit po festonin Fitër Bajramin, kjo fotografi 4 zyrtarëve policorë nga Deçani, Granit Shehaj, Jeton Jahmurataj, Tahir Mazrekaj dhe Hazir Tahiraj, u kushtoi me suspendim 3 ditë nga puna.

Në vitin 2020 Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës përmes një vendimi ua kishte ndaluar pjesëtarëve të saj të postojnë apo të komentojnë nëpër rrjetet sociale. Por, paradoksi i rastit të 4 policëve nga rajoni i Pejës që po patrullonin në Veri është se fotografia e tyre është shkrepur dhe shpërndarë nga mediat online. Fotografia nuk paraqet asnjë pamje denigruese apo sjellje të pahijshme të këtyre policëve në detyrë. Përkundrazi ata lëvdohen për punë e tyre. Dhe për këtë ata janë suspenduar të nesërmen në puna.

Lexo edhe:  Kosova s’ka punëtorë as për “ilaç”