‘Goditja’ | Policia zbarkon në dy lokale në Prizren, pas kontrollit gjejnë armë dhe municion “Te Mila”

Pas ngjarjeve tronditëse në javën e parë të gushtit, ku tre persona mbetën të vrarë nga të shtëna me armë zjarri, e dhjetëra të tjerë u plagosën, Policia ka hartuar dhe ka filluar së zbatuari planin operativ ‘Goditja’. Kjo u bë me qëllim të shtimit të masave të sigurisë dhe operacioni do të shtrihet në gjithë vendin. Sinjali vazhdimisht ka raportuar për kapjen e personave me armë ilegale e gjësende tjera të kundërligjshme.

Për dy javë, Policia ka arrestuar 155 persona dhe ka konfiskuar mbi 50 armë, teksa operacioni po vazhdon.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se njëri nga rastet e fundit u zbulua në Prizren pas kontrolleve në dy lokale në rrugën “Jusuf Gërvalla, nën dyshimet për gjësende të kundërligjshme.

Sinjali mëson se zyrtarët policorë zbarkuan në lokalet “Te Mila” dhe “Te Bruna”, me ç’rast në lokalin e parë është gjetur dhe sekuestruar një armë me municion, si dhe një sprej, që i takonin një 24-vjeçari.

Pas përfundimit të kontrollit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor dhe ndaj tij, me vendim të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti për “Armëmbajtje pa leje”.

Kujtojmë se brenda gjashtë ditësh ndodhën tri vrasje të rënda në lokale të ndryshme në Prishtinë, Klinë dhe në Runik të Skenderajt.

Sipas njoftimit të Policisë, detyrat që parashihen të realizohen gjatë zbatimit të planit operativ ‘Goditja’, janë shtimi i aktiviteteve/patrullimeve policore, kryesisht në qendra urbane, në ato pjesë ku ka më shumë lokale, kafene, bare nate, e më shumë qytetarë që vizitojnë ato.

Mes tjerash, u tha se do të shtohen kontrollet policore ndaj personave e automjeteve me qëllim të gjetjes dhe konfiskimit të gjërave të ndaluara me theks të veçantë armëve dhe mjetet tjera të rrezikshme për jetën.

Lexo edhe:  Ministri Murati: Këtë vit u punësuan 5 mijë gra e vajza