Goditet kontrabanda në veri, policia kap afro 800 pula që po futeshin nga Serbia në të zezën

Policia e Kosovës në dy raste të ndryshme ka parandaluar kontrabandimin e përreth 800 pulave, që po futeshin nga territori i Serbisë në Kosovë.

Një gjë të tillë e ka njoftuar vetë policia, duke njoftuar se dy të dyshuarit që po bartnin pulat nga Serbia për në Kosovë janë të nënshtetësisë kosovare.

“Rasti 1: Rreth orës 01:00, në fshatin Zhabar-K.K. Mitrovicë, është ndaluar kamioneta Volkswagen LT46, ngjyrë e teget, me targa RKS (02), me rreth 200 (dyqind) pula të kontrabanduara nga territori i Serbisë, me vozitës E.M., Mashkull/Kosovar, 37 vjeçar, me banim në Mitrovicë”, thuhet në njoftim.

“Rasti 2: Rreth orës 18:30, në fshatin Bube-KK. Zubin Potok, është ndaluar kamioneta Mercedes Benz, ngjyrë e gjelbër, me targa RKS (02), me rreth 550 (pesëqind e pesëdhjetë) pula të kontrabanduar nga territori i Serbisë, me vozitës H.B., Mashkull/Kosovar, 50 vjeçar, me banim në Mitrovicë”.

Me autorizim të Prokurorit të Shtetit janë iniciuar dy raste “Kontrabandim me mallra”, kamionetat dhe malli i kontrabanduar janë dërguar në terminalin doganor në Mitrovicë për procedura të mëtejme nga autoritetet kompetente (Dogana e Kosovës dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës).

Lexo edhe:  Kanoset një zyrtar komunal në Komunën e Mitrovicës së Veriut