Gjykata vendos për tre të dyshuarit për sulm ndaj Valon Sylës
Gjykata Themelore në Prishtinë ka pranuar kërkesën e Prokurorisë Speciale dhe u ka shqiptuar masën prej një muaji paraburgim tre të dyshuarve L.D., K.H. dhe O.H., për sulmin ndaj gazetarit Valon Syla.
Tre të dyshuarit u arrestuan më 12 prill. Ata dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘’Nxitje e përçarjes dhe mos durimit’’.
“Gjyqtari i Procedurës Paraprake kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve L.D, K.H dhe O.H, e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve iu ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, për secilin”, thuhet në njoftim.
Sulmin ndaj Sylës e kanë dënuar kryeministri Albin Kurti, kryekuvendari Glauk Konjufca, ndërsa presidentja Vjosa Osmani nuk ka bërë ndonjë reagim. Reagim ka pasur edhe nga krerët e partive politike opozitare. Gjithashtu, reagoi edhe Ambasada e SHBA-së në Prishtinë e organizata ndërkombëtare të gazetarëve.
Gazetari Syla pati thënë se sulmet ndaj tij janë të lidhura me motive fetare.