Gjykata merr vendim për “Lune”-n, serbin për të cilin Kurti thoshte se Serbia bëri hakmarrje kur kidnapoi tre policët kosovarë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur t’ia vazhdojë paraburgimin edhe për dy muaj Milun Milenkoviq, të njohur si “Lune”, serbit të arrestuar përpara një muaji nga Policia e Kosovës në veri të Mitrovicës.

Një gjë të tillë për Gazetën Insajderi e bëri të ditur zëdhënësja e Gjykatës së shkallës së parë në Prishtinë, Mirlinda Gashi, një ditë përpara se t’i përfundonte afati për paraburgim të dyshuarit.

“Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special në çështjen penale kundër të pandehuri M.M, pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka vendosur lidhur me masën e sigurisë. Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, për vazhdimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit M.M, ashtu që masa e paraburgimit i është vazhduar në kohëzgjatje prej 2 (dy)muaj”, njofton Gashi.

Për “Lune”-n thuhej se është njëri nga organizatorët kryesor të sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR’it gjatë trazirave të 29 majit në veri.

Sipas ministrit Sveçla, “Lune” është një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe “bosi” i bandave kriminale ndër vite në veri.

Tutje, ministri tha se ai ka qenë organizator i sulmit ndaj forcave të KFOR’it.

“Policia e Kosovës sot ka arrestuar Milun Milenkovic- Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës. I njejti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan”, ka bërë të ditur Sveçla.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pati thënë se arrestimi i “Lune” nga Njësia Speciale e Policisë së Kosovës çoi në hakmarrje nga ana e shtetit serb, kur kidnapoi Rifat Zekën, Beqir Sefajn dhe Shemsi Mustafën.

Lexo edhe:  Nxënësi shkon me pistoletë në shkollë, arrestohet nga Policia e Kosovës

“Dyshojmë që ata janë rrëmbyer nga ushtria e Serbisë, qartazi si hakmarrje e Serbisë për arrestimin e djeshëm të kriminelit famëkeq Millun Millenkoviq – Lune, i cili paraqet një ndër krerët e krimit të organizuar dhe kontrabandës”, pati shkruar ai në ‘Facebook’.