Gjykata ia cakton një muaj paraburgim 6 fajdexhinjve të arrestuar në aksionin “Milioni” në rajonin e Prizrenit

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj gjashtë të dyshuarve të cilët përfunduan në prangat e Policisë nën dyshimet për fajde, veprimtari kjo që dyshohet se e kanë kryer për një periudhë të caktuar.

Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht dje për aksionin të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar, të zhvilluar në rajonin e Prizrenit, ku cak ishin personat e përfshirë në veprimtarinë e kundërligjshme të fajdes.

Sinjali mësoi ekskluzivisht emrat e gjashtë të arrestuarve, të cilët janë: Lulzim Ahmetaj, Xhevdet Kokollari, Leotrim Muçaj, Kujtim Kabashi, Bekim Kabashi dhe Durim Gashi.

Lidhur me rastin njoftoi edhe Prokuroria, ku dha detaje të reja – si dhe u publikuan pamjet nga aksioni i koduar si ‘Milioni’.

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit kanë arritur të përfitojnë kundërligjshëm shuma të mëdha të parave si dhe prona, vlera e të cilave kalon shumën mbi 1 milion euro.

Po ashtu, janë sekuestruar njësi banesore, lokale, vetura, armë, kontrata e prova tjera materiale.

“Gjatë zbatimit të operacionit policor, është realizuar urdhër-kontrolli i gjykatës, ku në vendbanimet e personave të dyshuar janë sekuestruar: 20 njësi banesore dhe lokale afariste, 5 automjete, 5 armë dhe municion të kalibrit të ndryshëm, dokumentacione, si: kontrata, para-kontrata, para të gatshme, prova digjitale, si dhe janë bllokuar llogaritë bankare të personave të dyshuar.

Të dyshuarit në këtë rast, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë, kanë kontraktuar shuma dukshëm joproporcionale të pasurisë, në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimës.

Të dyshuarit kanë arritur të përfitojnë në mënyrë të kundërligjshme nga viktima shuma të mëdha të parave si dhe prona të paluajtshme dhe të luajtshme si formë e interesit nga veprimtaria e fajdesë, vlera e të cilave kalon shumën mbi 1 milion euro.

Lexo edhe:  Familjari i të moshuarës në Pejë: E kemi çuar për siguri, paguanim 650 euro në muaj

Të dyshuarit pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit nga PTh- Prizren, ndalohen për 48 orë.