Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka vendosur në çështjen penale për të pandehurin Driton Dobruna, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale Kanosje.
E njëjta e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurin, andaj të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.
“Gjykata vlerësoj se e caktimi i masës së paraburgimit tani për tani është masë adekuate sepse nëse i pandehuri lihet në liri, ekziston rreziku i ikjes së tij, po ashtu mund ta përsëris veprën penale të natyrës së njëjtë apo ndonjë vepër tjetër penale, andaj caktimi i masës së paraburgimit është e arsyeshme për rrjedhjen e procedurës penale.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftim.
Dy ditë më parë, Policia e Kosovës e arrestoi Driton Dobrunën, kërcënuesin e gazetarit Vehbi Kajtazi. Ai po dyshohet se e kanosi seriozisht Kajtazin, përmes mesazheve që i dërgoi në llogarinë e tij në ‘Facebook’. Denoncimi i rastit rezultoi me prangosjen e tij dhe sipas informacioneve të para, i njëjti u dërgua në mbajtje.
Lidhur me këtë rast, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës reagoi, duke kërkuar veprime nga Policia, si dhe publikoi mesazhet e Dobrunës.