Gjilanasi ushtron dhunë ndaj bashkëshortes shtatzënë, 31-vjeçarja dërgohet në spital

Çdo ditë raportohen dhjetëra raste të dhunës në familje nga të gjitha qytetet e Kosovës. Zakonisht viktima janë gratë të cilat përjetojnë dhunë psikike e fizike kryesisht nga bashkëshortët e tyre. Këta të fundit nuk i kursejnë ato as kur janë në periudhën e shtatzënisë, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur së fundi në fshatin Livoq i Epërm në Gjilan, ku një person dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij e cila është shtatzënë.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se 31-vjeçarja është dërguar për tretman mjekësor dhe më pas ka dhënë dëshminë e saj lidhur me rastin.

Sipas gruas, gjithçka ka ndodhur në lokalin e çiftit, ku 39-vjeçari e ka sulmuar viktimën dhe më pas ajo ka kërkuar që të shkojë në shtëpinë e prindërve të saj në Prishtinë. Bazuar në dëshminë e saj, pasi është kthyer në shtëpinë e përbashkët me bashkëshortin, ky i fundit ka ndërruar cilindrin e derës dhe ajo nuk ka mundur të futet brenda.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Me urdhër të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet për veprën penale ‘Dhunë në familje’.

Lexo edhe:  Largohet flamuri serb nga Kalaja e Zveçanit