Gjendje e rëndë: Miniera e Trepçës humbi rreth 500 mijë euro për çdo muaj

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), sonte bëri të ditur se publikoi raportin e auditimit “Performanca financiare dhe operative NP Trepça Sh.A” për periudhën 2019-2021, me ç’rast, gjatë kësaj periudhe, Trepça ka operuar me mbi gjysmë milioni euro humbje mesatare mujore.

Rezultatet e këtij auditimi, siç u bë e ditur në komunikatë, tregojnë se “Trepça” Sh.A nuk ka arritur të jetë efikase dhe efektive në shfrytëzimin dhe përpunimin e burimeve minerare, me synim të tejkalimit të operimit me humbje mesatare mujore prej 620,307€ dhe arritjes së rentabilitetit.

Trepça” Sh.A, sipas ZKA-së, nuk ka arritur të krijojë as parakushtet e duhura për operim, të cilat do të siguronin shfrytëzim efikas dhe fitimprurës të burimeve minerare.

Rezultatet e auditimit, siç u potencua në komunikatë, kanë nxjerrur në pah dobësi dhe mungesë efektiviteti në sistemin e kontrollit të brendshëm që do të mundësonin produktivitet të lartë në nxjerrjen e xehes, përpunimin dhe pasurimin e mëtejshëm të saj.

“Analizat e indikatorëve kyç të performancës financiare kanë rezultuar me tregues negativ për gjendjen e rënduar financiare që e ka përcjellë kompaninë ndër vite. Teknologjia dhe infrastruktura e vjetëruar në Trepça Sh.A, si dhe mungesa e investimeve kapitale kanë ndikuar në produktivitet të ulët. Përderisa rrjedhjet (humbje) e mëdha të metaleve në steril gjatë procesit të flotimit të xehes ishin rezultat i teknologjisë së vjetëruar dhe mungesës së investimeve kapitale dhe mos standardizimit të procesit të punës në flotacione”, u theksua në raport.

Gjithashtu, “Trepça” Sh.A nuk ka arritur të sigurojë menaxhim optimal të burimeve njerëzore në procesin e prodhimit. Kjo, sipas Zyra Kombëtare e Auditimit, si rezultat i mungesës së analizës dhe identifikimit të nevojave për angazhim të stafit në prodhim nëpër njësi biznesore, me synim të ngritjes së produktivitetit.

Lexo edhe:  Therja e katër personave në Ferizaj, policia: I dyshuari u vetëdorëzua

“Shpallja e konkurseve të paplanifikuara në plan të biznesit, tejkalimi i stafit të punësuar në njësitë biznesore në krahasim me shpalljen e konkursit publik si dhe angazhimi i punëtorëve me punë dhe detyra specifike për pozita të rregullta pa shpallje të konkursit publik, janë vetëm disa nga parregullsitë e shumta të menaxhimit të burimeve njerëzore dhe të cilat kishin rezultuar edhe me shpenzime shtesë gjatë periudhës 2019-2021. Lidhur me këtë auditim, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka deklaruar se “Trepça” Sh.A nuk ka arritur të vendos sisteme dhe kontrolle të brendshme adekuate të cilat do ta mbështesnin arritjen e performancës financiare dhe operative pozitive, me theks në procesin e prodhimit.”, është bërë e ditur tutje në komunikatë.

Në raportin e auditimit janë dhënë 22 rekomandime, 3 për Qeverinë e Kosovës dhe 19 për “Trepça” Sh.A. me qellim të përmirësimit të procesit të prodhimit në përgjithësi dhe forcimin e kontrolleve të brendshme në ndërmarrje.