Gjendja e zyrtarit të BE-së të plagosur në Gjakovë mbetet stabile – vazhdon trajtimin në QKUK

Zyrtari i Bashkimit Evropian, S.Sh që u plagos të martën mbrëma në Gjakovë, po vazhdon të trajtohen në Klinikën e Kirurgjisë Torakale në QKUK.

Gjendja e tij është stabile dhe po monitorohet nga mjekët. Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Torakale, Nazmi Kolgeci.

“I njëjti vazhdon të jetë në trajtim në Klinikën e Kirurgjisë Torakale dhe gjendja e tij është stabile”, tha Kolegci.

Zyrtari i BE-së u sulmua me mjet të mprehtë të martën në mbrëmje në qytetin e Gjakovë, ku si pasojë ka pësuar lëndime në kokë, qafë dhe gjoks.

Viktima ka pësuar një plagë prerëse-shpuese afër veshit të majtë, dy plagë të vogla në pjesën përpara të gjoksit, si dhe frakturë të brinjës së tretë djathtas dhe një pneumotoraksi (ajër në mushkëri) që aktualisht është në vëzhgim.

Në ndërkohë, Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar nisjen e hetimeve për rastin, ndërsa bashkëpunimi po shtrihet edhe me njësitë policore për të zbardhur plotësisht rrethanat.

“Nga momenti kur e ka pranuar rastin në trajtim, ka filluar me ndërmarrjen e veprimeve hetimore në përputhje me Kodin e Procedurës Penale dhe ligjet në fuqi. Në koordinim me njësitë relevante të Policisë së Kosovës, Prokuroria Speciale është duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme hetimore me qëllim të zbardhjes së plotë të gjendjes faktike”, kanë deklaruar të mërkurën nga Prokuroria Speciale.

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë është shprehur e tronditur për ngjarjen, dhe i ka uruar rikuperim të shpejtë dhe të plotë zyrtarit të saj.

Rasti është duke u hetuar si vrasje e rëndë në tentativë kurse motivet e këtij sulmi mbeten ende të paqarta.

Lexo edhe:  Në Zvicër përurohet xhamia shqiptare, marrin pjesë shumë qytetarë