Gjendet e braktisur vetura e vjedhur te ‘Toni Company’, hajnat mbetën në baltë dhe s’mund ta nxirrnin

Cak i hajnave shumë herë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë veturat, të cilat qytetarët nuk po kanë siguri askund, madje as në oborret e shtëpisë e garazhet e tyre. Të dyshuarit që ua vënë syrin veturave kryesisht të shtrenjta jo gjithmonë kapen pasi arrijnë të ikin pa lënë ndonjë gjurmë, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur të hënën të ‘Toni Company’ në rrugën “Isa Boletini” në Ferizaj, ku disa persona kanë arritur të vjedhin një veturë që ishte e parkuar në hapësirën e punishtes dhe më pas u larguan.

Kështu kanë bërë me dije burimet e Sinjalit nga Prokuroria, që njoftuan se rasti është denoncuar nga pronari, i cili kërkoi ndihmën e Policisë dhe ofroi si dëshmi pamjet nga kamerat e sigurisë për t’i zbuluar të dyshuarit.

Pas denoncimit të rastit, viktima mori informacione se veturën e tij dikush e ka gjetur të braktisur në një fshat, ku të dyshuarit kishin mbetur në baltë dhe nuk kanë arritur ta nxjerrin nga aty. Kushtet e rrugës u bënë ‘sebep’ që të dyshuarit t’ia mbathnin dhe ta lënin veturën.

Me të kuptuar se ku ndodhej vetura, pronari e njoftoi sërish Policinë për atë që kishte ndodhur dhe më pas lidhur me rastin është vënë në dijenie dhe Prokuroi i Shtetit.

 

Lexo edhe:   Zbulohet emri i personit që u qëllua me armë në Malishevë, dërgohet në QKUK