Gjenden eshtra në Vushtrri, dyshohet se i përkasin një personi të zhdukur gjatë luftës
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka bërë të ditur se sot janë gjetur mbetje mortore në një lokacion të ri në territorin e komunës së Vushtrrisë, që dyshohet se i përkasin një personi nga lista e të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë.
Sipas njoftimit zyrtar, lokacioni është identifikuar falë bashkëpunimit me shoqatat e familjarëve të personave të zhdukur, e konkretisht me Shoqatën “Martirët e Lirisë” nga Vushtrria, shkruan “Jepi zë”.
Gërmimet janë realizuar nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur në bashkëpunim me Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Policinë e Kosovës.
Autoritetet kanë bërë të ditur se identiteti i viktimës do të konfirmohet pas analizës së ADN-së, e cila do të kryhet nga Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur (ICMP).