Gjakovë: Dy persona dalin t’i qërojnë hesapet në rrugë, kërcënojnë njëri-tjetrin me armë

Posedimi i armëve të zjarrit është shndërruar në një dukuri negative, pasi që përpos që është e kundërligjshme, po cenohet edhe siguria e qytetarëve. Personat e armatosur shpesh herë ato i përdorin për të kërcënuar ata me të cilët kanë telashe, por ka raste që përpos që i frikësojnë, i shkrepin ato dhe gjithçka përfundon tragjikisht.

Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në rrugën ‘Nënë Tereza’ në Gjakovë, ku dy persona dyshohet se janë përfshirë në një konflikt.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se dëshmitarët kanë njoftuar Policinë se të dyshuarit i kanë drejtuar armën njëri-tjetrit, me ç’rast njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme.

Pas veprimeve hetimore është arritur që të identifikohen dy të dyshuarit, ku njëri prej tyre është shoqëruar në stacion policor, teksa i është sekuestruar një armë ilegale.

Ndërkohë janë marrë veprimet hetimore për lokalizimin e vendndodhjes së të dyshuarit të dytë, i cili momentalisht ndodhet në arrati.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Kanosje’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’, ndërsa i dyshuari që u arrestua është dërguar në mbajtje.

Lexo edhe:  Policia bastis një lokal nate në Klinë, 26-vjeçari kapet me armë zjarri