Gjakovarit i avullohen nga xhirollogaria mbi 20 mijë euro, Policia nis hetimet
Përmes formave të ndryshme, persona të panjohur arrijnë që në mënyrë të kundërligjshme të kenë qasje në llogaritë bankare të qytetarëve të rëndomtë, por edhe të llogarive të bizneseve. Si rrjedhojë, ata ia krijojnë vetes kushtet që të keqpërdorin mjetet financiare që nuk janë në pronësi të tyre.
Për një rast të tillë që ka ndodhur së fundi në qytetin e Gjakovës, Prokuroria ka nisur hetimet.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se një qytetar ka pohuar në Polici se nga xhirollogaria e tij në bankën ‘Raiffesien’, që nga muaji tetor deri në fund të shkurtit, i janë vjedhur mbi 20 mijë euro.
Bazuar në dëshminë e tij, paratë janë vjedhur kohë pas kohe, duke u kryer në internet pagesa të ndryshme nga persona të panjohur.
Lidhur me rastin, është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që rasti të iniciohet ‘Vjedhje’, teksa vazhdojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave të rastit.