Gjakovari rrah gruan në ditën e Vitit të Ri, përfundon në Polici
Rastet e dhunës në familje janë vazhdimisht në rritje, pasi që çdo ditë në të gjitha rajonet e Kosovës denoncohen dhjetëra raste të dhunës, ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat të cilat dhunohen në forma të ndryshme kryesisht nga bashkëshortët, por edhe nga anëtarët tjerë të familjes.
Në Polici kanë përfunduar dje edhe një çift nga Gjakova, pasi një grua e ka denoncuar bashkëshortin e saj për dhunën që ka ushtruar ndaj saj.
Sinjali mëson se viktima ka raportuar se burri i saj pas një konflikti verbal, e ka sulmuar fizikisht me grushte, duke i shkaktuar lëndime por edhe frikë e shqetësim, për çka u detyrua të kërkojë ndihmën e Policisë.
Si rezultat i raportimit të rastit, Policia e ka arrestuar të dyshuarin, i cili më pas është shoqëruar në stacion policor, ku e ka mohuar veprën me të cilën ngarkohet.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit nuk ka urdhëruar masën e ndalimit policor, por vetëm inicimin e rastit dhe lirimin e tij për t’u hetuar në procedurë të rregullt.
Rastet e tilla kur burrat e dyshuar për dhunë ndaj vajzave dhe grave lirohen nuk janë të rralla dhe shpesh ka ngritur debat në opinion se organet e rendit nuk po bëjnë mjaftueshëm për këtë dukuri shqetësuese, që është kthyer në tragjedi për shumë familje.