Gjakovari kërcënon me jetë djalin e tij: S’guxon me ardhë n’shpi, t’vraj

Dhuna në familje po vazhdon të jetë një fenomen mjaft shqetësues, që shumë herë ka përfunduar edhe tragjikisht. Rastet që ndodhin në Kosovë janë nga më të ndryshmet, ku përfshihen bashkëshortët, fëmijët e anëtarët e tjerë të familjes.

Një rast i tillë ka ndodhur dje pasdite në rrugën ‘Ali Pashë Tepelena’ në Gjakovë, ku një burrë dyshohet se ka kërcënuar me jetë djalin e tij.

Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur përmes një bisede telefonike mes palëve, ku pas një mosmarrëveshjeje mes tyre, i moshuari dyshohet se ka kërcënuar 40-vjeçarin duke i thënë se nuk guxon të shkojë në shtëpi sepse do ta vrasë.

40-vjeçari duke parë rrezikun që i kanoset, i frikësuar ka kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës.

Njësitet policore janë vënë menjëherë në lëvizje, ku kanë arrestuar të dyshuarin, i cili gjatë intervistimit ka deklaruar se nuk ka qëllim ta lëndojë djalin e tij, por të gjitha fjalët i ka thënë nën afekt.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që 65-vjeçari të hetohet në liri për veprën penale ‘Dhunë në familje’.

Lexo edhe:  U kapën me substanca narkotike, arrestohen dy persona në Skenderaj