Gjakovari ia zë pritën dhe e grushton 53-vjeçarin, shkak problemi mes fëmijëve të tyre

Sherret mes të miturve shpeshherë i fusin në telashe edhe prindërit e tyre, të cilët tentojnë të qërojnë hesapet dhe të kërkojnë llogari për problemet që i shkaktojnë fëmijët e tyre. Një rast i tillë ka ndodhur të hënën në rrugën “Nëna Terezë” në Gjakovë, raporton Gazeta Sinjali.

Në rast janë përfshirë dy persona, njëri prej të cilëve ka sulmuar tjetrin teksa ishte duke lëvizur me veturën e tij. Për pasojë i dyshuari ka përfunduar në ndalim policor, kurse viktima është dërguar në spital.

Sipas informacioneve të para, i dyshuari M.K., e ka grushtuar viktimën, për shkak të një problemi që kanë pasur fëmijët e tyre, e që e shtyri të përplaset me prindin tjetër, të cilit i ka shkaktuar lëndime trupore.

Sinjali mëson se posa rasti është denoncuar në Polici, i dyshuari është arrestuar dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Ndaj tij, prokurori i Shtetit ka urdhëruar caktimin e masës së ndalimit policor dhe inicimin e rastit për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.

Lexo edhe:  78-vjeçarja në Prishtinë denoncon në Polici nipin e saj: Më kapi për fyti dhe tentoi të më ngufas