Gjakovari e rrah brutalisht bashkëshorten e tij, Policia nuk e gjen në shtëpi – ka dalë jashtë vendit
Rastet e dhunës në familje sa vijnë e shtohen në vendin tonë. Çdo ditë gra e vajza raportojnë në Polici se janë viktima të dhunës që përjetojnë nga bashkëshortët dhe anëtarët tjerë të familjes. Një rast i tillë ka ndodhur edhe para dy ditësh në Skivjan të Gjakovës, ku një burrë dyshohet se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.
Sinjali mëson se gjithçka ka ndodhur brenda shtëpisë së çiftit, ku burri dyshohet se për motive të ulëta e ka rrahur gruan duke e goditur me rrip nëpër trup. Si pasojë e kësaj ajo ka pësuar lëndime trupore për çka ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital.
Ajo ka vendosur që rastin ta denoncojë në Polici, ku ka dhënë dëshminë e saj për dhunën që ka përjetuar nga bashkëshorti. Si rezultat i raportimit, Policia është vënë në lëvizje për ta arrestuar të dyshuarin, por i njëjti nuk është gjetur.
Sipas bashkëshortes së tij, ai nuk gjendet në Kosovë, pasi ka udhëtuar jashtë vendit për shkak se punon në një kompani të autobusëve.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, derisa të sigurohet prezenca e të dyshuarit, rasti është iniciuar si dhunë në familje, ndërsa gruaja bashkë me fëmijët është dërguar në strehimore, ku ndihet më e sigurt.