Gazetarja që qëlloi në Shtërpcë ditën e incidentit, publikon fotografitë se si bllokuan serbët qarkullimin e veturave
Gazetarja që qëlloi në Shtërpce publikon fotografi pak para incidentit: 20 të rinj serbë bllokuan qarkullimin e veturave
Për plagosjen e dy të rinjve serbë më 6 janar në Shtërpce është arrestuar një pjesëtar i FSK’së, Azem Kurtaj.
12 ditë më vonë, Gazetarja e Prishtina Insight, Blerta Begisholli ka dalë me një version për atë që kishte parë ditën kritike duke publikuar edhe fotografi pak para momentit të fillimit të të shtënave, ku mbetën të plagosur dy të rinj.
Ajo ka treguar në detaje se si ishte e bllokuar rruga në fshatin Gotovushë nga disa të rinj serbë.
“Një grup prej rreth 20 të rinjsh serbë, shumë të veshur me rroba maskimi, dolën në rrugën kryesore. Në duar mbanin degë të thata, të përdorura si simbole të festimit të Krishtlindjeve ortodokse” shkruan ajo.
Ajo thotë se ata mbanin edhe një pankartë me hartën e Kosovës dhe flamurin e Serbisë brenda saj, me shkrimin: “Nuk ka dorëzim” në qendër të flamurit. I njëjti flamur u shfaq edhe në veri të Kosovës, kur serbët vendas barrikaduan rrugët në përpjekje për të refuzuar vendosjen e targave kosovare.
Pas një demonstrimi që thotë se zgjati rreth dy minuta në mes të rrugës, ku bllokuan makinat nga të dy drejtimet, ata u zhvendosën në anën e djathtë të rrugës dhe vazhduan t’u bërtasin makinave që kalonin. Nuk ishte e qartë se çfarë po thoshin, përfundoi ajo.
“Instinkti im gazetaresk më shtyu të bëja menjëherë disa foto, por e hoqa shpejt telefonin, që të mos shihesha. Situata nuk ndihej e sigurt. E hoqa telefonin shpejt dhe vazhdova vozitjen“, shkroi ajo.
“Duke kujtuar ngjarjet e fundit në veri të Kosovës, ku bandat kriminale kishin bllokuar rrugët dhe provokuan një përshkallëzim të situatës, dhe në disa raste kishin sulmuar gazetarët, kisha frikë se e njëjta gjë mund të ndodhte edhe atje. Pak minuta më vonë raportova në redaksi për atë që kisha parë dhe nuk kaloi shumë dhe policia lëshoi një njoftim se kishte ndodhur një sulm.
Më rezultoi se fotografia që kisha bërë ka fiksuar momentin e bashkëveprimit mes grupit të të rinjve [në të djathtë] dhe sulmuesit të dyshuar [makina Volksëagen në të majtë]”, shkroi Begisholli.