Gani Krasniqi reagon pasi dëshmitari ia përmendi emrin në Gjykatën Speciale

Njëri ndër themeluesit e parë të UÇK-së, tash deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Gani Krasniqi, ka komentuar deklaratat e dëshmitarit të radhës në Gjykatën Speciale kundër ish-krerëve të UÇK-së i cili ka thënë se marrëdhëniet e UÇK-së dhe LDK-së “nuk ishin bash të mira”.

“Nuk ishin edhe bash të mira marrëdhëniet e LDK-së me njësitet në Malishevë, edhe pse ishin një masë e madhe të kyçur. Por nuk kanë qenë edhe bash raportet e shëndosha, sepse vazhdimisht ka pasur presione që LDK ta pushojë aktivitetin në Malishevë”, tha dëshmitari.

I pyetur se kush e ushtronte këtë presion, dëshmitari tha: “E ushtronte drejtoria politike e UÇK-së që ishte në Malishevë”. “Drejtoria politike a kishte komandant?”, pasoi pyetja. “Për Malishevë ka qenë Gani Krasniqi”, u përgjigj dëshmitari.

Njëri ndër themeluesit e parë të UÇK-së, tash deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Gani Krasniqi ka thënë se “ai që e ka thënë, kur t’i vjen puna le ta thotë që kanë qenë marrëdhëniet e kqija më së pari te unë”.

“Ai, kush ka thënë, unë jam ndër themeluesit e parë të UÇK-së në Kosovë dhe në pjesën e Malishevës Ai që ka thënë, kur t’i vjen puna le ta thotë që kanë qenë marrëdhëniet e kqija më së pari te unë. Unë atëherë në kuadër të LDK-së kam qenë kryetar i këshillit të financave dhe nuk dua të merrem me atë, sepse ai duhet të mi thotë mua. Në kohën kur ka filluar lufta nuk ka pas më parti – ka pas UÇK, mbështetës të çlirimtarëve edhe kështu”. u shpreh Krasniqi

Ai shtoi se gjithnjë do të përballet me të vërtetat në lidhje me luftën e UÇK-së.

“Gani Krasniqi kurrë nuk është fshehë as nuk fshehet. Krejt jetën e kam pas luftë, edhe tash e kam luftë. Luftë për ta ndërtuar shtetin, për ta bashkuar kombin“, tha ai për Sinjalin.

Lexo edhe:  Ky është i dyshuari për vjedhjen e rëndë në Istog, mori mijëra euro e franga në një shtëpi

Krasniqi në vitin 2019 ishte ftuar në cilësinë e dëshmitarit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

I pyetur se a do të dëshmonte sërish, ai tha se “natyrisht se do ta jap dëshminë time. Unë mezi pres për ta vazhduar dëshminë që e kam dhënë kohë më parë”.

Ndër të tjerash, ai u shpreh se Gjykata Speciale është gjykatë politike dhe se nuk beson në drejtësinë e saj.

“Po të isha pyetur unë, për mua kjo gjykatë nuk do të kishte egzistuar sepse është gjykatë politike e njëanshme. Këtë e kanë themelu pikërisht këta që janë atje edhe e ka themelu Kuvendi im, ka gabu“, përfundoi Gani Krasniqi për Sinjalin.

Ndryshe, në Gjykatën Speciale po vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.