Fushë Kosovë: I riu shkel urdhrin e Gjykatës dhe e kërcënon bashkëshorten, përfundon në qeli

Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste të grave që përjetojnë dhunë në forma të ndryshme kryesisht nga partnerët.

Madje as urdhrat që lëshojnë Gjykatat ndaj të dyshuarve për dhunë në familje nuk respektohen dhe për pasojë përsëriten raste të tilla, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu dyshohet se ka ndodhur së fundmi në një familje në Fushë Kosovë, ku një 35-vjeçare ka kërkuar ndihmën e Policisë për shkak të shqetësimit që ia ka shkaktuar bashkëshorti i saj.

Bazuar në dëshminë e saj, ajo është pajisur me urdhër të mbrojtjes të lëshuar nga Gjykata, por as kjo nuk e ka ndalur të dyshuarin që ta kontaktojë e ta kërcënojë.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Me urdhër të prokurorit, i njëjti është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet për veprën penale ‘Mospërfillje e Gjykatës’.

Ndryshe, kushdo që nuk i bindet ndonjë urdhri, vendimi apo aktgjykimi të plotfuqishëm, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 muaj.

Lexo edhe:  Detaje nga vrasja në Tiranë: Burri i 37-vjeçares s’ishte në shtëpi, punonte taksist