Fushë Kosovë: Burri e bën për spital gruan dhe ikë nga shtëpia, Policia vihet në ndjekje të tij
Numri i rasteve të dhunës në vendin tonë është në rritje çdo ditë e më shumë. Gratë janë ato që përjetojnë dhunë nga familjarët e tyre, kryesisht bashkëshortët dhe kërkojnë ndihmën e Policisë për të marrë mbrojtje dhe për të zgjidhur problemet.
Një rast i tillë ka ndodhur edhe të hënën në rrugën “Dardania” në Fushë Kosovë, ku një burrë dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se gruaja e ka denoncuar bashkëshortin e saj, për të cilin thotë se e ka sulmuar fizikisht, duke i shkaktuar kështu lëndime trupore, për çka ka marrë trajtim mjekësor.
Njësitet janë vënë në lëvizje pas denoncimit të rastit, por nuk kanë arritur ta arrestojnë personin e dyshuar, pasi i njëjti ka ikur nga vendi i ngjarjes dhe po qëndron në arrati.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë vendim për arrestimin dhe ndalimin e të dyshuarit posa i njëjti të kapet nga Policia dhe ndaj tij të nisin hetimet për veprën penale “Dhunë në familje”.