Furrëtarit në Prizren ia vjedhin veturën që e parkoi para lokalit, kërkon ndihmën e Policisë
Cak i hajnave shumë herë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë veturat, të cilat qytetarët nuk po kanë siguri t’i lënë askund.
Automjete të ndryshme po vidhen qoftë në parkingje apo hapësira tjera publike, e madje edhe nga oborret e shtëpive, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë i vjedhjes është raportuar të ketë ndodhur dje në Prizren, për çka Policia tashmë ka iniciuar rast.
Sinjali mëson se rastin në Polici e ka denoncuar një 27-vjeçar, i cili ka deklaruar se mbrëmjen e së premtes e ka parkuar veturën para furrës së tij, por të njëjtën nuk e ka gjetur aty kur ka shkuar sot në mëngjes.
I riu ka vendosur të kërkojë ndihmën e Policisë, duke e denoncuar rastin, me shpresën që do ta gjejnë automjetin e tij, që dyshohet se kap vlerën e rreth 4 mijë eurove.
Si rezultat i denoncimit, është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, me urdhër të së cilit është iniciuar rasti “vjedhje e rëndë” dhe kanë nisur hetimet për identifikimin e të dyshuarve.