FSK pasi u raportua se automjetet e saj janë nisur për veri: S’jemi në gjendje lufte, s’është e vërtetë

Ministria e Mbrojtjes së Kosovës ka demantuar që vetura të Forcave të Sigurisë së Kosovës, të jenë nisur për në veri të vendit, atje ku është situatë e tensionuar tash e disa ditë, sidomos pas vendosjes së barrikadave në disa lokacione, ku dy u shtuan edhe gjatë ditës së sotme.

Zëdhënësja e ministrisë, Liridona Gashi, i ka thënë Nacionales se “nuk ka asgjë të vërtetë” dhe se FSK-ja po vazhdon t’i kryejë aktivitetet e saj.

Ajo na e tha edhe një gjë tjetër: “…nuk kemi të bëjmë me gjendje lufte”.

“Jo, nuk ka asgjë që të vërtetë në këtë mes. FSK-ja vazhdon t’i kryejë aktivitetet ditore dhe misionin e saj kushtetues, por në veri të vendit nuk kemi të bëjmë me gjendje lufte, dhe situate është nën kontrollin e Policisë së Republikës së Kosovës dhe KFOR-it.” – ka thënë znj.Gashi.

Gazeta 10 ndërkaq, ka publikuar një video ku shihen automjetet e FSK-së që janë nisur drejt Kazermës “Minatori” në Mitrovicë.

Lexo edhe:  E mitura u dhunua nga pesë meshkuj, prokuroria nis hetimet