Fillon karantina në një lokalitet të Shqipërisë, shkak përhapja e gripit të shpendëve

Një vatër me gripin e shpendëve është identifikuar në fshatin Mëzez në Tiranë. Ministria e Bujqësisë, në njoftimin e saj thotë se vatra është karantinuar me qëllim izolimin dhe parandalimin e përhapjes së infeksionit.

Instituti i Shëndetit Publik është duke kryer procedurat e nevojshme për kontrollin dhe vlerësimin e riskut tek njerëzit.

Ndërkohë që prej 30 tetorit, fermerët dhe mbarështuesit e shpendëve, janë njoftuar se është ndaluar lëvizja e shpendëve nga fermat e zonave të Bashkive: Tiranë, Vorë dhe Kamëz.

Është ndaluar shitja dhe tregtimi i shpendëve të gjallë në mjediset e hapura dhe tregjet e kafshëve të gjalla, ndalohet lëvizja e shpendëve të gjallë nga ferma në fermë dhe nga ferma në tregjet e kafshëve të gjalla. Gjithashtu, edhe moslejimi i shpendëve të gjalla pa autorizim të veterinerit zyrtar për në thertore, pasi është kryer testi i PCR-së dhe shpendët kanë rezultuar negativ ndaj sëmundjes së influencës aviare.

Deri më tani nuk ka prova epidemiologjike dhe shkencore se ky virus transmetohet nëpërmjet konsumit të produkteve me origjinë shtazore dhe rekomandohet që konsumi i këtyre produkteve të bëhet pas trajtimit termik, me temperaturë të larta mbi 75 gradë.

Lexo edhe:  Nga Skënderaji në Washington, e reja kosovare merr titullin master në universitetin prestigjioz