Ferizajasi s’e harron problemin e para 14 vjetëve, kërcënon zyrtarin policor

Mosmarrëveshjet mes qytetarëve shpesh herë përcillen me ofendime e kërcënime ndaj njëri-tjetrit. Madje nuk janë të rralla rastet kur ato shpërthejnë në dhunë, duke u përleshur fizikisht mes vete dhe si rrjedhojë kërkohet zgjidhje për problemet në forma të ndryshme.

Një mosmarrëveshje e para 14 vjetëve është rikthyer sërish, ani pse palët në atë kohë ishin pajtuar që të mos kenë më telashe mes vete.

Sinjali mëson se viktimë e këtij rasti është një zyrtar policor, i cili gjatë ditës së djeshme ka raportuar në Polici se është përballur me një person me të cilin vëllai i tij kishte konflikt në të kaluarën.

Bazuar në dëshminë e tij, i dyshuari e kishte ndjekur nga mbrapa dhe e kishte kërcënuar se do ta rrahë atë dhe vëllain e tij. Për të parandaluar ndonjë sherr më të madh, kishte ndërhyrë një kalimtar i rastit, i cili kishte arritur që ta largojë të dyshuarin që aty.

Sipas policit, ai s’ka asnjë problem me të dyshuarin, mirëpo vëllai i tij kishte mosmarrëveshje para 14 vjetësh dhe më pas ishin pajtuar dhe kishin lënë zënkat mënjanë.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor dhe është intervistuar lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ndaj të dyshuarit të iniciohet rasti për veprën penale ‘Kanosje’.

 

Lexo edhe:  Vajza e mintatorit të Trepçës, Miftar Mehmeti, është e shtirië në spital ndërsa ish ushtari i UÇK-së po kërkon ndihmen e qytetarëve sepse nuk po mund të ja del financiarisht