Familja Thaçi pas përfundimit të të pames: Mirënjohës për mbështetjen që na dhatë

Familja e ish-presidentit Hashim Thaçi, pas përfundimit të të pames për kryefamiljarin e tyre të ndjerë, Haxhi Thaçin, përmes një komunikate dërguar mediave i kanë falënderuar të gjithë qytetarët që ishin për ngushëllime në familjen e tyre, si dhe institucionet e liderët politikë për telegramet dhe thirrjet e tyre për ngushëllime.

“Jemi thellësisht mirënjohës për mbështetjen e madhe që morëm nga mijëra qytetarë anekënd Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Luginës së Preshevës dhe diasporës shqiptare, nga fjalët e mira dhe mirësia e tyre”, thuhet ndër të tjera në falënderimin e familjes Thaçi.

Në njoftim familja Thaçi e ka falënderuar Komunë e Skenderajt, dhe kryetarin e saj, Fadil Nura, në mbështetjen për organizimin për ceremoninë së varrimit dhe aktiviteteve të përkujtimit.

“Institucionet e Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi dhe përfaqësitë diplomatike të shteteve mike i falënderojmë për telegramet e tyre të ngushëllimit, ndërsa liderët politikë shqiptarë i falënderojmë për thirrjet e tyre telefonike”, thuhet në njoftim.

Tutje, familja Thaçi thekson se mirësia e të tjerëve do të mbetet përherë me na dhe do jenë gjithmonë mirënjohës për mbështetjen dhe forcën që u dhanë gjatë këtyre ditëve të pikëllimit.

Haxhi Thaçi ka vdekur të dielën më 16 mars, dhe është varrosur më 18 mars të kësaj jave. Në varrimin e tij ish-presidenti Hashim Thaçi nuk ishte lejuar të marrë pjesë nga Dhomat e Specializuara në Hagë, por këta të fundit i dhanë leje ish-komandantit të UÇK-së të vijë në Kosovë të premten dhe të qëndrojë edhe sot.

Thaçi dje ishte tek varri i babait të tij, dhe tek familja e tij në Burojë të Skenderajt. Ndërkaq, sot u takua në selinë e Eulex-it me vëllezërit dhe gruan e tij.

Lexo edhe:  LAJMI I FUNDIT: Sërish aksident trafiku me të lënduar