Familja raporton zhdukjen e vajzës, 15-vjeçarja thotë se ishte në motel me të dashurin

Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Në shumë prej tyre, viktima janë vajzat e shpesh të dyshuar, janë persona të njohur të tyre të cilët përkundër moshës minorene të viktimave, krijojnë raporte intime me to dhe i keqpërdorin seksualisht. Për një rast të tillë që dyshohet se ka ndodhur në Fushë Kosovë, është arrestuar një 19-vjeçar, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për S.U., ndaj të cilit kanë nisur hetimet për sulm seksual ndaj një vajze të mitur, të moshës 15-vjeçare.

Rasti dyshohet të ketë ndodhur mbrëmë, kur i dyshuari dhe viktima kanë qenë gjatë gjithë natës bashkë, periudhë kjo kur vajza ishte raportuar e zhdukur.

Sinjali mëson se gjithçka u zbulua pasi viktima u largua nga shtëpia dhe nuk dihej asgjë për fatin e saj. Kjo ka alarmuar familjen, të cilët menjëherë kanë denoncuar rastin dhe kanë filluar kërkimet për vajzën.

Vajza ka deklaruar se ka qenë bashkë me të dashurin e saj, por që nuk kanë kryer marrëdhënie seksuale. Sipas dëshmisë së saj, ata janë në lidhje që disa muaj, pasi kanë ndjenja për njëri-tjetrin.

Si rezultat i denoncimit, hetuesit policorë kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme, me ç’rast është intervistuar edhe i dyshuari, i cili ka dhënë dëshminë e tij.

Pas përfundimit të procedurave policore, lidhur me rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar nisjen e hetimeve ndaj të dyshuarit në drejtim të veprës penale “Sulm seksual”.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  Shëngjini pa roje bregdetare, pushuesja nga Kosova rrezikon jetën