Falsifikimi i parasë në rritje / Banka ProCredit pre e deponimeve me banknota te falsifikuara
Paratë e falsifikuara po qarkullojnë shumë kohëve të fundit nëpër bizneset në Kosovë. Këtë e dëshmon edhe numri i madh i rasteve të raportuara në Policinë e Kosovës.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë të ditur se sot rreth orës 09:00 në rrugën “Jusuf Gërvalla”, në një prej bankave komerciale, është raportuar për disa raste të dyshuara me para të falsifikuara.
Sinjali mëson se njëri nga menaxherët e bankës ProCredit ka raportuar se që nga data 9 qershor e deri më datën 12 korrik 2022, nga disa kompani të ndryshme janë deponuar para që dyshohen se janë të falsifikuara.
Sipas tij, në mesin e parave të flasifikuara janë hasur monedha 0.50 cent, monedha të vlerës 1.00 euro, monedha të vlerës 2.00 euro, kartëmonedha të vlerës 50 euro si dhe kartëmonedhë 100 euro.
Paratë janë sekuestruar nga Policia dhe tashmë në koordinim me prokurorin e shtetit hetimi ka filluar për veprën penale “Falsifikim i parasë”.
Kujtojmë se edhe në të kaluarën janë sekuestruar para të falsifikuara në disa qytete të Kosovës.