Escobar: S’ka afat për Kurtin – të premten i raportoj Shtëpisë së Bardhë, pastaj marrim disa vendime

I Dërguari i Posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka sqaruar deklaratën e tij e cila u mor si ultimatum për një përgjigje të kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Në një prononcim para gazetarëve në Beograd, Escobar ka thënë se Qeverisë së Kosovës nuk i është vendosur afat për t’i kthyer përgjigje Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian në lidhje me kërkesat e tyre për depërshkallëzimin e situatës në veri.

Ai ka deklaruar se të premten do të raportojë në Shtëpinë e Bardhë se a ka pasur apo jo efekt dhe progres nga vizita e tij dhe të Dërguarit të Posaçëm të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, në Prishtinë dhe Beograd dhe në bazë të raportit të tij, do të ndërmerren disa hapa, ndonëse nuk tregoi se për çfarë bëhet fjalë.

“Nuk kam vendosur afat. Ajo që më është kërkuar në Prishtinë, ka qenë se cilët janë hapat e ardhshëm. Unë dhe z.Lajçak thamë se pas kësaj vizite, jam duke u pyetur të premten nga Shtëpia e Bardhë se çfarë po ndodhë, duhet të raportoj nëse ka progres, ai duhet të raportojë po ashtu. Nuk është afat, por ky është hapi i ardhshëm për mua, dhe bazuar në raportin tim, do të marrim disa vendime për të ecur përpara”, ka thënë ai.

Lexo edhe:  Dëmtoi shenjat e trafikut, arrestohet një shtetas i Serbisë në Leposaviq