Erdhën në Kosovë për pushime / Fati i keq i familjes Sopaj ku prindërit vdiqën në aksident e fëmijët u lënduan rëndë

Dy fëmijët e lënduar rëndë në aksidentin në rrugën Prishtinë-Podujevë janë tre dhe pesë vjeçarë

Kishin ardh për pushime në Kosovë. Por, në vendlindje familja Sopa nga fshati Janqiq i komunës së Malishevës, gjetën vdekjen. Në mëngjesin e 29 korrikut kjo familje u përfshi në një aksident të tmerrshëm trafiku në magjistralen Prishtinë-Podujevë, aty ku, vetura u aksidentua me një autobus. Në veturë në momentin kritik gjendeshin burrë e grua 35 e 36 vjeç si dhe dy fëmijët e tyre të moshave rreth 4 dhe 5 vjeçare.

Aksidentit nuk arritën që t’i mbijetojnë prindërit të cilët për fat të keq vdiqën. Të dy fëmijët që në orët e hershme po trajtohen në Klinikën Emergjente të QKUK-së.

Gjendja e tyre shëndetësore sipas mjekëve raportohet të jetë e rëndë.

“Jemi duke e monitoru gjendjen e tyre shëndetësore. Ua kemi ba të gjitha analizat. Po presim t’i përsërisim disa. Gjendja e tyre është stabile për momentin, por e rëndë. Të dy këta, ende po trajtohen në Klinikën Emergjente”, ka deklaruar për Nacionalen, drejtori i Klinikës Emergjente Naser Syla.

Podujevë, jashtë rrezikut për jetë
Ndërkohë, trupat e pajetë të viktimave të moshave 36 dhe 35-vjeç me urdhër të prokurorit janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Po ashtu raportohet se viktimat janë me prejardhje nga Malisheva, gjë të cilën e ka konfirmuar për Nacionalen kryetari i Komunës, Ekrem Kastrati.

Lidhur me rastin tragjik ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i cili ka thënë se janë të tronditur nga ky lajm, derisa u ka shprehur ngushëllime familjarëve, miqve e të afërmve të viktimave.

Për aksidentin ka folur edhe zëdhënësja e Policisë së KosoVës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Lexo edhe:  Gjykata Speciale i zgjat paraburgiminin Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit: Ka rrezik nëse lirohen...

Ajo ka bërë të ditur se aksidenti ka ndodhur mes një autobusi dhe një veture, e cila ka qenë me targa të huaja.

“Rreth orës 04:40 kemi pranuar informatën se në rrugën Prishtinë – Podujevë, ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në këtë aksident kanë qenë të përfshira, një veturë (me targa të huaja) e cila ka qenë në lëvizje dhe një autobus. Si pasojë e aksidentit lëndime të rënda trupore kanë pësuar katër persona, dy prej tyre nuk kanë arritë të përballojnë plagët dhe të njëjtit kanë ndërruar jetë”, ka thënë Ahmeti.

Ahmeti ka bërë të ditur edhe moshën dhe inicialet e personave që humbën jetën e u lënduan nga ky aksident.

“Ahmeti ka bërë me dije se viktimat janë një 35-vjeçare me inicialet M.S dhe një 36-vjeçar me inicialet Sh.S, derisa të lënduar kanë mbetur dy fëmijë”, ka thënë Ahmeti

Autobusi i përfshirë në aksident duket se i takon kompanisë “Dita”.

Deri më tash, nuk dihen ende arsyet që kanë dërguar deri te ky aksident tragjik.

Policia e Kosovës ka bërë thirrje kohëve të fundit vazhdimisht, për kujdes në trafik.

Pas ardhjes së mërgimtarëve, është shtuar edhe qarkullimi i veturave, që ka ndikuar edhe në shtimin e aksidenteve.