Ende nuk janë identifikuar të dyshuarit për vrasjen në Runik të Skenderajt

Në orët e para të datës 10 gusht Negjmedin Loshi, 39 vjeç, mbet i vrarë pas disa të shtënave me armë zjarri në një lokal në fshatin Runik të Skenderajt. Krimin dyshohet se e kryen persona të maskuar, të cilët akoma nuk janë identifikuar.

Rreth orës 01:21, më 10 gusht, Policia ka pranuar informata për të shtëna me armë zjarri në një lokal në fshatin Runik të Skenderajt.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe mjekësore. Nga këto të shtëna me armë zjarri ka vdekur një person dhe tre të tjerë janë lënduar. Disa orë pas vrasjes u bë i ditur identiteti i të vrarit – Negjmedin Loshi, 39 vjeç.

Këto informacione i ka dhënë zëdhënësi i Policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, në ditën që ndodhi vrasja, i cili tha se është duke u punuar intensivisht në identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve.

“Rreth orës 01:21, të datës 10 gusht 2023, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në një kafiteri në fshatin Runikë të Skenderajt. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore dhe ekipi mjekësor. Bazuar në hetimet  fillestare, nga arma e zjarrit lëndime kanë pësuar katër persona, njëri nga të lënduarit viktima N. L., 39 vjeçar, ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa, tre persona të tjerë të lënduar ( po ashtu nga arma e zjarrit ) janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK. Nga hetimet  e para dhe këqyrja e vendit të ngjarjes,  dyshohet  se dy persona të dyshuar e të maskuar kanë hyrë brenda në kafiteri  kanë shtënë  me armë dhe  janë larguar në drejtim të panjohur. Në cilësi të provave materiale në vendin e ngjarjes janë  gjetur dhe konfiskuar disa gëzhoja. Hetuesit e Sektorit Rajonal, janë duke punuar intensivisht për  identifikimin  dhe arrestimin e kryesit/ve  të veprës  si dhe zbardhjen e  kësaj vepre penale”, kishte deklaruar Zahiti për Express më 10 gusht.

Lexo edhe:  Hoti: LDK tani është pro tërheqjes së një sasie mjetesh nga Trusti

Mirëpo, ende nuk janë identifikuar të dyshuarit. Kështu thanë nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës.

“Deri tash nuk është identifikuar dhe as arrestuar ndonjë person i dyshuar për këtë rast”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Dëshmitari Musa Gashi, i cili ndodhej brenda lokalit në momentin kur ndodhi sulmi, kishte thënë se ka parë vetëm njërin prej tyre. Sipas tij, ky i dyshuar kishte gjuajtur me rreth 50 plumba për 10-15 sekonda.

“Ka hy një person i maskum me uniformë ka gjuajtur në drejtim të njerëzve. Një person e kam parë por dyshohet se ka pas më shumë. Ka gjuajtur me kallashnikov. Po, ka qenë i maskum dhe me një uniform si të ushtrisë. Kanë qenë 15 ose 16 persona. Po fatmirësisht kam shpëtu pa lëndim. Sikur të ishte ndonjë akt terrorist, me gjujt në drejtim të njerëzve ka qenë e pamendushme. Probleme të rralla ka pas por kështu jo nuk ka pas probleme më herët në atë lokal. Policia ka ardh me shpejtësi por gjuajtja ka ndodh 10 apo 15 sekonda, janë gjuajtur përafërsisht 50 plumba. Ka ardhë ambulanca e policia”, kishte deklaruar ai në RTV Dukagjini.