Ekskluzive: Ky është i dyshuari që rrahu deri në alivanosje shoqen e tij në Prishtinë – e nxori nga vetura pas një zënke

Gazeta Sinjali raportoi pak më parë për një rrahje brutale që ka ndodhur mëngjesin e sotëm në rrugën “Bill Clinton”, ku një vajzë është sulmuar deri në alivanosje nga shoku i saj, me të cilin ndodheshin në të njëjtën veturë. I dyshuari, i cili ka qenë i dehur fillimisht ka ikur nga vendi i ngjarjes por më pas është kapur pasi Policia është vënë në ndjekje të tij.

Sinjali ka mësuar identitetin e të dyshuarit i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor dhe sipas burimeve nga Prokuroria bëhet fjalë për Gëzim Bashotën, 40-vjeçar.

Cilat janë detajet e rastit?

Burimet nga Emergjenca kanë bërë me dije se vajza është pranuar në këtë qendër me lëndime të rënda dhe në gjendje jo të mirë, si pasojë e goditjeve që ka pësuar nga i dyshuari G.B., 40-vjeçar. Ky i fundit po dyshohet se fillimisht e kishte nxjerrë nga vetura, e më pas e ka grushtuar e shqelmuar derisa viktima është alivanosur.

Ky rast i tmerrshëm ka ndodhur pas orës 04:00 të mëngjesit, derisa dy palët ndodheshin në të njëjtën veturë dhe patën një zënkë mes tyre, që eskaloi në dhunë brutale. Siç mëson Sinjali, pasi i dyshuari e kishte rrahur keq 27-vjeçaren, ishte larguar nga vendi i ngjarjes, por përkundër tentativave, nuk arriti t’iu shpëtojë prangave të Policisë.

Viktima u dërgua në spital për trajtim mjekësor, kurse Policia iu vu në ndjekje të dyshuarit, të cilin e kapi pas një periudhe të shkurtër, me ç’rast u kuptua se i njëjti ishte nën ndikimin e alkoolit. Burimet thonë se ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.

Lexo edhe:  “I kanë marrë dokumentet”, Sejdiu: 151 mjekë gati për t’u larguar nga Kosova