“Edhe i shnoshi smuhet”/ Emergjenca në QKUK në gjendje të mjerueshme, mungojnë gjërat higjienike e mjetet më bazike për punë
“Atëherë kur shtrihesh si pacient, e kupton se në çfarë mjerimi jemi”. Kështu nis rrëfimi i njërit nga pacientët që mori së fundmi trajtim mjekësor në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Gjendja e mjerueshme në këtë klinikë, mungesa e gjërave bazike e kaosi që është krijuar po e shqetëson në masë të madhe edhe stafin shëndetësor.
Për kushtet me të cilat po përballën pacientët në njërën anë, e mjekët në anën tjetër, siç duket nuk është në dijeni Komiteti për Shëndetësi që po e udhëheqë kryeministri Albin Kurti.
Vetëm sot, në adresë të redaksisë kanë shkruar disa pacientë, të cilët kanë rrëfyer gjendjen e keqe në Emergjencë. Njëri prej tyre tregon se si po rrezikohen nga infeksionet, nuk ka kurrfarë rendi e disipline.
I shqetësuar, ky qytetar tha për Sinjalin se “duart s’po kemi me çka me i la bre, edhe atë që janë shëndosh po rrezikohen me u sëmu”.
Por me këtë gjendje të vështirë po përballet edhe personeli mjekësor. Në kushte anonimiteti, një punëtorët shëndetësor i tha Sinjalit se as shërbimet nuk po janë në gjendje t’i ofrojnë siç duhet, për shkak të mungesës së gjërave bazike.
Tutje, ai tha se mungojnë edhe penjët adekuat për ndërhyrje kirurgjike, situatë kjo që po rëndohet, e shpresojnë që do të merren veprimet e nevojshme.
Kujtojmë se në vazhdimësi ka pasur raportime për gjendjen e keqe në QKUK, teksa në anën tjetër në vazhdimësi po ka ikje të stafit mjekësor nga ky institucion publik i shëndetësisë.
Mungesat e anesteziologëve dhe të infermierëve janë më të vërejtshmet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe, sipas të gjitha gjasave, ato nuk do të mund të adresohen së shpejti.
Sipas të dhënave të Odës së Mjekëve të Kosovës, 580 mjekë janë larguar nga Kosova – vend me 1.7 milion banorë – në periudhën 2018-2021.
Se sa do të zhvillohet sektori i shëndetësisë dhe a do të zgjidhen këto probleme pritet të shihen rezultatet e Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi, në krye me Kurtin.