E trishtë: Vajza 15-vjeçare në Gjakovë mbetet shtatzënë nga dhunimi, kapet i dyshuari

Numri i rasteve të keqtrajtimit seksual në Kosovë ka marrë përmasa shqetësuese.

Ngjarje të tilla po cenojnë sigurinë e vajzave dhe grave, të cilat po ngacmohen, sulmohen e dhunohen seksualisht. Ka pasur shumë raste kur si pasojë e keqpërdorimit seksual, viktimat kanë mbetur shtatzënë. Edhe më shqetësues mbetet fakti kur viktimat janë mitura, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë dhe mjaft i trishtë ka ndodhur edhe së fundmi në fshatin Rogovë të Gjakovës, ku një vajzë e moshës 15-vjeçare, dyshohet se është dhunuar dhe për pasojë tashmë është shtatzënë.

Gjithçka u zbulua nga viktima, e cila bashkë me babanë e saj, i cili vendosën ta denoncojnë rastin në Polici.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se viktima ka zbuluar detaje tronditëse, duke rrëfyer se si prej muajit janar dhe në vazhdimësi, i dyshuari e kishte detyruar që pa dëshirën e saj të kryejnë marrëdhënie seksuale.

Si pasojë e dhunimit, e mitura ka mbetur shtatzënë dhe ka njoftuar familjen e saj, e më pas edhe Policinë, me ç’rast tashmë kanë nisur hetimet për zbardhjen e të gjitha rrethanave të rastit.

Pas raportimit të kësaj ngjarje të tmerrshme, hetuesit janë vënë në lëvizje dhe kanë arrestuar e shoqëruar në Polici të dyshuarin, i moshës 17-vjeçare, i cili ka dhënë deklaratë lidhur me rastin për të cilin dyshohet.

Ndaj tij, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Dhunim”, ndërsa veprimet e tjera do të ndërmerren brenda afatit ligjor.

Sinjali disponon edhe informacione të tjera lidhur me këtë ngjarje, mirëpo për shkak të ndjeshmërisë së rastit, tani për tani nuk do të publikojë më shumë detaje.

Lexo edhe:  Këto janë çmimet e derivateve për sot