E tmerrshme në Obiliq: Burri 78-vjeçar gjuan me armë pasi u kap me gruan, Policia i gjen municion e thikë

Mosmarrëveshjet mes çifteve shpeshherë eskalojnë në kërcënime e madje edhe në dhunë fizike e psikike dhe në shumicën e rasteve gratë janë viktima. Ato dhunohen në forma të ndryshme nga partnerët e tyre e më pas kërkojnë ndihmën e Policisë për të siguruar mbrojte. Jo rrallëherë burrat e dyshuar për dhunë në familjen kapen edhe me armë ilegale.

Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë pas mesnate, në fshatin Hamidi të Obiliqit, ku një 78-vjeçar i dyshuar për dhunë ndaj gruas, ka shtënë me armë zjarri.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i moshuari ka gjuajtur me armën e tij ilegale pas një mosmarrëveshje që ka pasur me bashkëshorten e tij, të cilët ka tentuar ta frikësojë.

Siç mëson Sinjali, posa janë dëgjuar të shtënat, Policia ka intervenuar në vendin e ngjarjes, ku janë gjetur gëzhojat, arma dhe municioni, teksa është arrestuar edhe personi i dyshuar.

I njëjti është shoqëruar në stacion policor, ku para hetueseve policorë ka pranuar se posedon armë pa leje. Ndërkohë Policia ka kryer edhe kontrolle në shtëpinë e të dyshuarit, ku kanë gjetur edhe dëshmi të tjera lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë dhe ndaj tij është iniciuar rasti për veprat ‘Dhunë në familje’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontrollim ose posedim të paautorizuar të armës’.

Lexo edhe:  Zbulohet kush është personi që u prangos nga Krimet Ekonomike, ishte përfshirë në një aferë ryshfeti